← Shfleto

Jonuz Tuli

Doktori i shkencave të ekonomisë

Lindi në prill të vitit 1926 në Shkodër. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje. Studimet e Larta i filloi në Fakultetin e Ekonomisë së Industrisë në Institutin e Planit në Shën Peterburg, kurse i vazhdoi në Fakultetin e Ekonomisë së Industrisë në Institutin Ekonomik dhe i kreu më 1952 në Moskë. Gradën shkencore “Doktor i Shkencave Ekonomike” e mori më 1981 në Fakultetin Ekonomik të Tiranës. Dr. Jonuz Tuli ishte sekretar i PK të Rrethit të Shkodrës, kryetar i Degës së Planit në Ministrinë e Minierave, shef i seksionit të Industrisë, të Ndërtimtarisë në Komitetin Ekzekutiv të Qarkut të Tiranës, pedagog në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës dhe zv. dekan i Fakultetit Ekonomik. Dr. J. Tuli është autor – bashkautor i një sërë botimesh, monografish, e tekstesh mësimore. Ka marrë pjesë në tubime shkencore në vend dhe jashtë. Është dekoruar me urdhrin “N. Frashëri” të kl. II.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.