Januz Tërstena
Magjistër i shkencave të sigurisë
Lindi në gusht të vitit 1952 në Marocë të Kamenices (Dardanë). Shkollën fillore e nisi në Poliçk dhe e kreu në Hogosht, kurse Shkollën e mesme të Punëve të Brendshme e kreu në Kamenisë të Sremit. SHL e Punëve të Brendshme e kreu në Beograd më 1975. Shkallën e Dytë të Fakultetit të Sigurisë dhe të Vetmbrojtjes Shoqërore e kreu në Shkup më 1981. Po në këtë fakultet i bëri edhe Studimet pasuniversitare - Dega e Kriminalistikës në Shkup, ku edhe magjistroi në mars të vitit 1991 me temën: ”BISEDA INFORMATIVE ME TË DYSHIMTIN”(ma). Mr. Januz Tëstena në fillim punoi si polic në Mitrovicë, aty ishte edhe udhëheqës i Drejtoratit të Policisë së Komunikacionit dhe ligjërues në Shkollën e Punëve të Brendshme të Vushtrrisë, mandej postkomandant i Stacionit të Policisë të Gllogocit dhe në Mitrovicë, ndihmësekretar dhe udhëheqës i Drejtoratit për Organizimin dhe i Zhvillimit të Policisë së Kosovës në Prishtinë (1988-1990). Ka qenë profesor në Shkollën e Mesme në Drenas dhe së fundit ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës (1998-2000). Ka të botuara 4 publikime.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.