← Shfleto

Isuf Luzaj

Doktor i dyfishtë, filozofi dhe filologji

Lindi në shkurt të vitit 1913 në Koninë të Vlorës. Shkollën fillore e kreu në Vlorë, kurse të mesmen, gjimnazin, në Shkodër. U regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Sorbonës në Paris, ku kreu dy fakultete: filozofinë dhe filologjinë. Në të njëjtin universitet doktoroi në filozofi dhe filologji. Së pari doktoroi në qershor të vitit 1936 me temën “Gjuha frënge që nga origjina e deri te Ronsar”, para 20 profesorëve. Nga filozofia doktoroi me temën “Paralelizmi në mes 16 filozofëve më të mëdhenj të epokës”, para 20 profesorëve të Universitetit të Sorbonës në Paris. Që të dy disertacionet iu botuan në Shtëpinë Botuese “Dharo Katit” në Korçë. Prof. Dr. Isuf Luzaj është profesor shqiptar që në SHBA mori titullin “Profesor Emeritus” dhe ka dekoratën “Profesor i Amerikës”, të cilën ia dha vetë kryetari i SHBA-ve, Ronald Reagan. Më 1979 u emërua shef i katedrës në Universitetin e Illinoisit. Ka punuar në Universitetin “Harvard” dhe “Columbia”. Dr. Isuf Luzaj ka botuar shumë libra, por ka lënë edhe shumë dorëshkrime. Më 1936 u kthye përkohësisht në Shqipëri dhe u emërua profesor në Elbasan, pastaj në Liceun e Korçës. Ka punuar në Argjentinë dhe në SHBA. Në Luftën e Dytë Botërore luftoi kundër Italisë me 120 studentë të vet, ku u zu rob lufte dhe u dërgua në Durrës e Brindisi deri më 1942. Ka qenë udhëheqës i Ballit Kombëtar dhe mori pjesë në LNÇ në luftë kundër italianëve. Mori pjesë në Konferencën e Mukjes më 1943, ku u vendos që Kosova të jetë pjesë e Shqipërisë etnike. Vdiq në Amerikë në vitin 2000 dhe la amanet të varrosej në vendlindje, në Koninë të Vlorës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.