← Shfleto

Isuf Dedushaj

Doktor i shkencave të mjekësisë

Lindi në tetor të vitit 1951 në Vuthaj të Plavës. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Guci, Gjimnazin e kreu në Pejë. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Prishtinë më 1976. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Mjekësisë të Sarajevës, ku edhe magjistroi në nëntor të vitit 1983 me temën: ”VETITË SOCIOEPIDEMIOLOGJIKE TË TETANUSIT NEONATAL NË KOSOVË”(sr). Mr. Isuf Dedushaj doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës në nëntor të vitit 1986 me temën: ”KARAKTERISTIKAT EPIDEMIOLOGJIKE TË FRUTHIT NË KOSOVË DHE MATJA E SHKALLËS SË IMUNITETIT KOLEKTIV TE KJO SËMUNDJE”. Dr. Isuf Dedushaj në fillim punoi si mjek në Drenas, në Entin e Mbrojtjes së Shëndetësisë në Prishtinë, specializimin e bëri për Epidemiologji dhe është epidemiologu i parë shqiptar në Kosovë. Më 1976 zgjidhet asistent në Fakultetin e Mjekësisë, mandej zgjidhet ligjërues i lëndëve Epidemiologjia dhe Higjena me epidemiologji ku arriti deri te prof. ordinar i këtyre lëndëve në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës. Ka qenë edhe prodekan. Dr. I. Dedushaj ka të botuara mbi 112 punime shkencore dhe 46 si koautor, ka 6 tekste universitare, ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i revistës “Shëndeti”. Tash është drejtor i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë të Republikës të Kosovës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.