← Shfleto

Ismet Dërmaku

Doktor i shkencave të historisë

Lindi në gusht të vitit 1927 në Shipashnicë të Epërme të Kamenicës (Dardanë). Mësimet e para i bëri në mejtep, mandej kreu Shkollën fillore në Kolloleq të Kamenicës dhe në Gjilan. Shkollën e mesme (normale) e nisi me kurse në Prishtinë dhe e kreu në Gjakovë, SHLP-Degën e Historisë e kreu në Beograd, kurse shkallën e Dytë të Fakultetit Filozofik e kreu në Shkup më 1959. Doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në shtator të vitit 1979 me temën: ”ROLI DHE KONTRIBUTI I KOLONIVE SHQIPTARE NË RUMANI DHE BULLGARI GJATË RILINDJES KOMBËTARE SHQIPTARE”(sr). Dr. Ismet Dërmaku së pari filloi punën si mësues në Muhovc të Bujanocit dhe në fshatrat e Kamenicës, si inspektor i shkollave shqipe të Kamenicës, si prof. i historisë në Gjimnaz të Mitrovicës, Inspektor i Arsimit në Krahinën e Kosovës, dhe si drejtor i Arsimit të Kosovës, prof. i historisë në Fakultetin Juridik të Prishtinës ku arriti deri te prof. ordinar i historisë. Dr. I. Dërmaku ka të botuara 4 tekste shkollore si dhe temën e magjistraturës dhe doktoratës, ka 60 punime shkencore dhe ka marrë pjesë në shumë kongrese e simpoziume në vend dhe jashtë vendit.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.