Ilir Limani
Doktor i shkencave teknike – elektroteknikës
Lindi në prill të vitit 1954 në Prizren. Shkollën fillore dhe të mesmen (Teknike) si dhe Fakultetin Teknik-Dega e Elektroteknikës i kreu në Prishtinë më 1978. Edhe studimet pasuniversitare i bëri në të njëjtin fakultet në Prishtinë, ku edhe magjistroi në korrik të vitit 1994 me temën: ”APLIKIMI I MIKROKOMPJUTERËVE NË AUTOMATIZIMIN E PROCESEVE NË INDUSTRI”. Mr. Ilir Limani doktoroi në Fakultetin e Elektroteknikës të Prishtinës në qershor të vitit 1997 me temën: ”IDENTIFIKIMI PARAMETRIK I SISTEMEVE TË NDRYSHME NË KOHË DHE VERIFIKIMI I MODELEVE ME TRANSFORMIME TË VALËZAVE”. Dr. I. Limani në fillim punoi në RTV të Prishtinës, kurse prej vitit 1979 punon në Fakultetin e Elektroteknikës të Prishtinës si asistent për lëndët simulimi dhe modelimi i sistemeve diskrete dhe i procesimit të sinjaleve dhe i elementeve të automatikës dhe arriti deri te docent në këtë fakultet. Ka të botuara 17 punime shkencore, 20 punime profesionale dhe 2 dispensa të ligjëratave të autorizuara. Ka qenë prodekan dhe dekan i Fakultetit të Elektroteknikës në Prishtinë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.