← Shfleto

Hivzi Islami

Doktor i shkencave të natyrës – gjeografisë

Lindi më 1946 në Letovicë të Bujanocit. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Raincë, kurse të mesmen (Gjimnazin) e kreu në Preshevë. Fakultetin Filozofik-Dega e Gjeografisë - e kreu në Prishtinë më 1970. Si student i dalluar e ka shfrytëzuar bursën e Universitetit. Studimet pasuniversitare i bëri në FSHMN-Dega e Gjeografisë në Zagreb, ku edhe magjistroi në shkurt të vitit 1973 me temën: ”DINAMIKA E POPULLSISË SË KOSOVËS NË PERIUDHËN 1961-1971 SI FUNKSION I PROCESEVE SOCIALO-GJEOGRAFIKE”(kr). Mr. Hivzi Islami doktoroi në Fakultetin Filozofik-Institutin e Gjeografisë në Lubjanë në qershor të vitit 1977 me temën: ”PROCESET MË TË REJA REGJIONALE-DEMOGRAFIKE TË KOSOVËS SI TERRITOR I PËRZIER NË PIKËPAMJE KOMBËTARE”(sl). Dr. Hivzi Islami së pari punoi si prof. i gjeografisë në Tërnoc e Bujanoc dhe më 1971 zgjidhet asistent i lëndëve: Demografia dhe ekologjia humane ku arriti deri te prof. ordinar i këtyre lëndëve në Degën e Gjeografisë të FSHMN të Prishtinës. Ka qenë shef Katedre dhe prodekan në këtë fakultet. Ka specializuar në Francë, është anëtar i rregullt i ASHA të Kosovës. Ka të botuara 12 libra nga lëmi i demografisë. Ka tekste edhe për shkolla të mesme dhe universitare, ka më tepër se 100 studime e artikuj të botuara edhe në gjuhë të huaja. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Ishte anëtar i delegacionit në Konferencën e Londrës dhe të asaj të Gjenevës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.