← Shfleto

Hamdi Sulçebeg

Doktor i shkencave të mjekësisë

Lindi në dhjetor të vitit 1907 në Elbasan. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen e bëri në Grac dhe u diplomua në Vjenë. Fakultetin e Mjekësisë e kreu po ashtu në Vjenë me sukses të lartë. Pasi njihte gjuhë të huaja e sidomos Anglishten më 1936 nga Fondacioni Amerikan Rochefeller mori bursën për studime pasuniversitare specialistike për Shëndetin Publik në Universitetin e Harvardit në Boston (Amerikë). Në qershor të vitit 1938 edhe u magjistrua dhe mori titullin “Master degree” në Shëndetin Publik. Me këtë diplomë Mr. Hamdi Sulçebeg kishte të drejtë ta ushtronte profesionin (e mjekut) edhe në SHBA. Mandej Fondacioni Rochefeller Mr. H.Sulçebeg e dërgoi në udhëtim studimor në disa shtete të Evropës Qendrore dhe të Ballkanit për t'u njohur me gjendjen e shëndetit publik në këto vende. Mr. Hamdi Sulçebeg më 1939 u kthye në atdhe dhe formoi Këshillimoren e parë të Nënës dhe të fëmijëve në Tiranë, njëkohësisht filloi Emisionin “Këshilla Mjekësore “ në Radio Tiranë që vazhdoi plot 50 vjet. Më 1941 specializohet për pediatër në Bari të Italisë. Ka qenë drejtues i Qendrës Higjienike të Tiranës dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë të Tiranës. Dr. Hamdi Sulçebugut i ofruan vend pune si Vjena, Parisi e Vashingtoni, por ai zgjodhi Shqipërinë e varfër-vendlindjen e tij të çmuar, ku punoi gjithë kohën. Vdiq më 7 shkurt të vitit 1993 në Tiranë në moshën 85 - vjeçare.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.