← Shfleto

Hajredin Ukelli

Doktor i shkencave të mjekësisë

Lindi më 1937 në Shajkoc të Besianës. Shkollën fillore e nisi në Batllavë e vazhdoi në Podujevë, Gjilan dhe e kreu në Prizren, të mesmen (Gjimnazin) e kreu në Prishtinë. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Shkup më 1963, kurse doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës në janar të vitit 1980 me temën: ”KONTRIBUT INDIKACIONIT TË SHËRIMIT KIRURGJIK TË THYERJES SË DIAFIZËS SË ESHTRAVE TË GJATË TË EKSTREMITETEVE TË POSHTME TE FËMIJËT”(sr). Dr. Hajredin Ukelli specializoi në Fakultetin e Mjekësisë të Beogradit. Punës ia filloi si mjek në Orllan e Podujevë. Më 1967 kaloi në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës, ku më 1972 u zgjodh asistent i kirurgjisë së përgjithshme dhe arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës. Ka të botuara 30 punime shkencore. Vdiq në Prishtinë më 1997.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.