← Shfleto

Gjyltekin Shehu

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi më 1937 në Nesalcë të Bujanëcit. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Kumanovë, kurse të mesmen (Normalen) në Prishtinë. Fakultetin Filozofik –Dega Gjuhë dhe Letërsi Frënge i kreu në Shkup më 1963. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku edhe magjistroi në nëntor të vitit 1971 me temën: ”EKZOTIZMI NË NOVELAT E PROSPER MERIME-a DHE TEMATIKA E NGJASHME NË LETËRSINË SHQIPTARE (kr). Mr. Gjyltekin Shehu doktoroi në Universitetin e Sorbonës IV në Paris në qershor të vitit 1978 me temën: ”KORSIKA DHE SHQIPËRIA SIPAS ASPEKTEVE TEMATIKE NË LETRAT FRËNGE TË SHEKULLIT XIX”(fr). Dr. Gjyltekin Shehu së pari punoi si referent për shkollat e Larta dhe Fakultete në Sekretariatin e Arsimit të Kulturës në Kosovë, mandej prof. i gjuhës dhe i letërsisë frënge në Gjimnaz, të Prishtinës, në Arkivin e Kosovës. Disa herë ka qenë për specializim të gjuhës frënge në Paris. Më 1972 u zgjodh asistent i Letërsisë frënge të Fakultetit Filozofik të Prishtinës dhe arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde. Ka qenë anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Doktorëve të Filologjisë në Universitetin e Parisit dhe të vendeve të tjera të botës. Ka të botuara disa punime shkencore, 2 tekste të gjuhës frënge për shkolla të mesme dhe 4 tekste të përkthyera nga frëngjishtja në shqipe dhe është laureat i Çmimit Ndërkombëtar “Henry Dunaut” të Gjenevës. Gjithë kohën punoi si profesor në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.