← Shfleto

Gjergj Pekmezi

Doktor i filologjisë – filozofisë

Lindi në prill të vitit 1872 në Tushemisht të Pogradecit (Ohrit). Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse Gjimnazin grek e kreu në Manastir. Studimet i filloi në Fakultetin e Filologjisë-teologjisë në Beograd dhe i kreu në Fakultetin Filozofik të Vjenës, diplomoi në filologji dhe filozofi (1898). Më 1900 dërgohet në Shqipëri për të mbledhur material për studimin e dialekteve të gjuhës shqipe dhe si rezultat i mbledhjes ishte teza e doktoratës “TIPARET DALLUESE MË KARAKTERISTIKE TË DIALEKTEVE THEMELORE TË SHQIPËS, GEGËRISHTES DHE TË TOSKËRISHTËS”(gj) dhe “RAPORTI PROVIZOR PËR STUDIMIN E DIALEKTIT TË ELBASANIT”. E botuar nga komisioni Ballkanik i Akademisë së Shkencave të Vjenës. Dr. Gjergj Pekmezi është personalitet i shquar i Shkencës gjuhësore dhe kulturës shqiptare. Më 1903 u emërua shef i Katedrës të Gjuhës Shqipe në Institutin Oriental të Republikës së Austrisë, më 1928 emërohet profesor i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Vjenës. Aty punoi deri në vdekje. Mr. Gjergj Pekmezi pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Vjenë. Më 1920 emërohet konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Austri. Dr. Gj. Pekmezi njihet edhe si gjuhëtar ku ka botuar disa libra dhe shkroi Gramatikën e gjuhës shqipe, që pati rëndësinë e vet. Njihet edhe si përkthyes i veprave të rëndësishme të letërsisë botërore në gjuhën shqipe. Vdiq në Vjenë më 1938.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.