← Shfleto

Gjergj Foto

Doktor i shkencave të gjeologjisë

Lindi në dhjetor të vitit 1942 në Baul të Përmetit. Mësimet fillestare i mori në vendlindje, Teknikumin e naftës e kreu në Kuçovë. Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave e kreu në Tiranë më 1967. Po në këtë fakultet edhe u doktorua më 1992 me temën: ”FAKTORËT PËRCAKTUES TË SHPËRNDARJES SË HIDROKARBUREVE NË REZERVUARIN KARBONATIK GJATË FORMIMIT TË SHTRATIMEVE DHE ROLI I TYRE NË METODIKËN E KËRKIMIT”. Dr. Gjergj Foto së pari punoi si teknik gjeolog, mandej inxh. gjeolog në Ndërmarrjen e Nxjerrjes së Naftës në Marinëz dhe Ballsh, mandej në Institutin Teknologjik të Naftës në Patos, përgjegjës në Kabinet dhe sekretar shkencor në Institutin e Naftës e të Gazit në Fier, pedagog përgjegjës i seksionit të Fakultetit të Gjeologjisë e të Minierave në Tiranë. Punët studimore i paraqiti në referat dhe në 4 artikuj shkencorë. Është autor i një teksti universitar. Ka marrë pjesë në sesione shkencore. Mori “Medaljen për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore”. U specializua në Universitetin “La Sapenze” të Romës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.