← Shfleto

Gazmend Zajmi

Doktor i shkencave politike

Lindi më 1936 në Krumë. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) e kreu në Prizren. Fakultetin Juridik e kreu në Beograd më 1960. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Shkencave Politike të Beogradit, ku edhe magjistroi në tetor të vitit 1972 me temën: ”BARAZIA E GJUHËVE NË KSA TË KOSOVËS”(sr). Mr. Gazmend Zajmi e vazhdoi punën shkencore dhe doktoroi në të njëjtin fakultet në Beograd në prill të vitit 1973 me temën: ”MBROJTJA KUSHTETUESE-JURIDIKE DHE TRAJTIMI I GJUHËVE TË PAKICAVE KOMBËTARE NË EVROPË MIDIS DY LUFTËRAVE BOTËRORE”(sr). Dr. Gazmend Zajmi punoi si gjykatës dhe kryetar gjyqi në Prizren. Më 1961 u zgjodh asistent i lëndës E drejta kushtetuese në Fakultetin Juridiko-Ekonomik të Prishtinës, ku ka qenë dy mandate prodekan i këtij fakulteti. Ka qenë prorektor dhe rektor i Universitetit të Prishtinës. Pushteti serbokomunist ia ndaloi veprimtarinë si profesor universiteti plot 10 vjet. Ka qenë prof. ordinar i Fakultetit Juridik ku mbajti ligjërata edhe në Shkallën e Tretë të Studimeve në këtë fakultet. Ka qenë kryetar i Bashkësisë së Universiteteve të Jugosllavisë dhe anëtar i Konferencës së Rektorëve të Evropës. Dr. G. Zajmi ka të botuara 30 punime shkencore, 3 libra kompozimesh të muzikës. Ka hartuar Kushtetutën e Kaçanikut. Ka qenë anëtar i rregullt i ASHA të Kosovës dhe kryetar i kësaj akademie të Prishtinës dhe anëtar i Akademisë së Shkencave Evropiane të Salzburgut. Vdiq në Prishtinë më 1995.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.