← Shfleto

Flamur Tartari

Doktor i shkencave të mjekësisë

Lindi në tetor të vitit 1943 në Tiranë. Shkollën fillore dhe të mesmen e Fakultetin e Mjekësisë i kreu në Tiranë, dhe u diplomua më 1966. Po në këtë fakultet edhe u doktorua në qershor të vitit 1981. Dr. Flamur Tartari bëri specializimin për kirurgji dhe urologji në Francë, Holandë, Zvicër, Itali e Hungari. Dr. F. Tartari ka më tepër se 80 punime shkencore të botuara në vend dhe jashtë. Është i angazhuar si profesor i Fakultetit të Mjekësisë të Tiranës që nga viti 1969, është docent i Urologjisë në këtë fakultet. Dr. F. Tartari është anëtar i shumë Shoqatave Ndërkombëtare të Urologjisë. Nga Shoqata e Urologëve të Evropës është zgjedhur Profesor i Urologjisë, më 1998 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Nju Jorkut për aktivitetin shkencor brenda dhe jashtë vendit. Është autor i librit “Figurat e shquara të mjekësisë shqiptare” e botuar më 1998 në Tiranë.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.