Fiqiri Sheri
Doktor i shkencave të ekonomisë
Lindi në prill të vitit 1922 në Tiranë. Mësimet e para dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Studimet e larta për statistikë matematike i bëri në Universitetin “Ç.J.Parkon” të Bukureshtit ku diplomoi në vitin 1951. Titujt dhe gradën shkencore “Docent” e mori më 1972. Dr. Fiqiri Sheri së pari ishte kryetar i Degës së Drejtorinë e Statistikës, pranë Komisionit të Planit të Shtetit. Më 1953 u zgjodh pedagog i matematikës në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës. Me hapjen e Universitetit të Tiranës Fiqiriu u zgjodh pedagog i statistikës dhe shef i Katedrës së Statistikës në Fakultetin Ekonomik të Tiranës. Ka ligjruar edhe në fakultetet e tjera të këtij universiteti, si në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës. Ka kontribuar si lektor i statistikës në Fakultetin Ekonomik e Juridik të Universitetit të Prishtinës. Dr. Fiqiri Sheri është autor – bashkëautor i një sërë botimesh – tekstesh mësimore, i monografive e artikujve shkencorë. Ka botuar 6 tekste për matematikë (Analiza I dhe II). Ka qenë bashkautor edhe i 4 teksteve për matematikës statistikore. Dr. F. Sheri është një ndër demografët më të shquar të vendit. Ka qenë kryetar i “Shoqatës së Demografëve”. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore në vend dhe jashtë vendit.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.