Ferid Murati
Doktor i shkencave të mjekësisë
Nobelisti i dytë shqiptar, Ferid Murati, lindi më 14 shtator 1936 në qytetin Whiting, në shtetin Indiana, SHBA, në një familje shqiptare. Babai i tij, Xhabir Murat Ejupi, ishte nga fshati Llokovc i Gostivarit dhe emigroi në Amerikë në moshën 18-vjeçare. Nëna e tij, Henriet Josephina Bownam, ishte amerikane. Mësimet fillestare dhe të mesme i kreu në vendlindje. Kolegjin e kreu pranë Universitetit DePauw në Greencastle, Indiana, për shkencat shoqërore më 1958, por njëkohësisht studioi edhe biologji dhe kimi. Fakultetin e Mjekësisë e ndoqi në Universitetin “Washington” në Saint Louis, ndërsa programin e doktoratës në Universitetin “Western Reserve” të Clevelandit, në Ohio, ku diplomoi më 1965 dhe mori gradën “Doktor shkence në farmaceutikë”. Ferid Murati ka qenë student i dalluar i brezit të vet dhe mori dy shpërblime, një për mjekësi klinike dhe një për hulumtime në mjekësi. Ai u specializua në mjekësinë interne. Ka qenë drejtor i Qendrës për Hulumtime Klinike dhe drejtor i Departamentit të Farmakologjisë Klinike në Universitetin e Virginias, ku filloi edhe eksperimentet e para për hulumtimin e efekteve biologjike të oksidit nitrik në fiziologji. Në vitin 1998 mori Çmimin Nobel së bashku me Luis Ignarro, profesor në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, dhe Robert Furchgott, profesor i farmacisë në Universitetin e New York-ut. Pavarësisht nga profesorët e përmendur, Dr. Ferid Murati dëshmoi se nitroglicerina, që përdoret për sëmundjet e zemrës, e rrit efektin e veprimit nëpërmjet lirimit të oksidit të azotit, i cili relakson enët e gjakut dhe e ul shtypjen e gjakut. Nobelisti Ferid Murati ka pasur një varg funksionesh drejtuese në institucione të njohura të mjekësisë klinike dhe eksperimentale. Në vitin 1997 ishte përgjegjës i Departamentit të Biologjisë dhe Farmakologjisë në Universitetin “Texas” në Houston dhe drejtues i Institutit të Mjekësisë Molekulare, drejtor i Institutit të Biologjisë Integrative, Farmakologjisë dhe Fiziologjisë. Ferid Murati është anëtar i jashtëm i ASHSH-së, anëtar nderi i ASHAK-ut, anëtar i jashtëm i AMSH-së dhe, nga viti 2000, anëtar i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave. Mban titujt “Doctor honoris causa” nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, si dhe është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Ferid Murati ishte bir i një shqiptari të besimit mysliman dhe i një nëne amerikane të besimit baptist. Ai u martua me Kerollin, mësuese presbiteriane, me të cilën ka pesë fëmijë. Nobelisti Ferid Murati llogaritet si një nga njerëzit më të shquar të kombit tonë. Ky margaritar i mendjes, me origjinë shqiptare, me plot të drejtë mund të quhet nder i kombit shqiptar.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.