← Shfleto

Fejzulla Berisha

Doktor i shkencave juridike

Lindi më 1955 në Graboc të Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Gjimnazin) në Prishtinë, ku e kreu edhe Fakultetin Juridik më 1981. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Juridik të Prishtinës ku edhe magjistroi në drejtimin Kushtetues-politik në dhjetor të vitit 1993 me temë: ”MBROJTJA JURIDIKE E TË DREJTAVE TË PUNËTORËVE”. Mr. Fejzulla Berisha doktoroi në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në dhjetor të vitit 1999 me temën: ”MOHIMI I LIRIVE DHE TË DREJTAVE TË NJERIUT NË KOSOVË”. Dr. Fejzulla Berisha punën e filloi si jurist në institutin “Inkos” të Elektroekonomisë së Kosovës mandej u angazhua në procesin mësimor në Fakultetin Juridik të Tetovës si dhe në Kolegjin e Shkencave Politike-Sociale të Prishtinës ku ligjëron lëndën Fillet e së drejtës dhe e drejta administrative në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ligjëron edhe në Fakultetin e Shkencave Politike në Prishtinë, ka qenë i angazhuar në QPK-Ministrinë e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Ishte këshilltar në Zyrën Ligjore të Kabinetit të kryetarit të Kosovës. Punon në Shërbimin Juridik të KEK-ut në Prishtinë. Ka botuar 4 vepra në lëmin e drejtësisë.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.