← Shfleto

Fehmi Rexhepi

Doktor i shkencave të historisë

Lindi në shkurt të vitit 1945 në Pogragjë të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen (Normalen) në Gjilan. Fakultetin Filozofik –Dega e Historisë e kreu në Prishtinë më 1971. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në Prishtinë në maj të vitit 1980 me temën.”GJILANI DHE RRETHINA ME 1941”. Mr. Fehmi Rexhepi doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në shkurt të vitit 1983 me temën: ”GJILANI DHE RRETHINA NË LËVIZJEN NACIONALÇLIRIMTARE 1941 – 1945”. Dr. Fehmi Rexhepi së pari punoi si mësues në vendlindje, mandej në Miradi të Prishtinës, si prof.i historisë në Normale-Akademi Pedagogjike dhe në Gjimnaz të Gjilanit. Prej vitit 1978 në Institutin e Historisë së Kosovës në Prishtinë si bashkëpunëtor shkencor ka qenë edhe drejtor i këtij Instituti. Ka marrë pjesë në disa konferenca e simpoziume me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Ka të botuara tekste të historisë për shkolla fillore dhe të mesme si autor - koautor, ka 30 punime shkencore dhe 35 kontribute të tjera dhe 4 monografi. Tash është bashkëpunëtor i lartë Shkencor në Institutin e Historisë së Kosovës dhe bashkëkryetar i Komisionit për Planprograme të Përbashkëta të historisë si dhe Këshilltar Kombëtar për Histori dhe ka qenë deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.