Fehmi Gashi
Doktor i shkencave të natyrës – fizikës
Lindi më 1941 në Hajvali të Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme e kreu në Prishtinë. SHLP-Dega e Arsimit Politeknik - e kreu në Prishtinë, Shkallën e Dytë të Fakultetit Filozofik-Dega e Fizikës - e kreu në Prishtinë më 1968. Studimet pasuniversitare i bëri në FSHMN në Beograd, ku edhe magjistroi në tetor të vitit 1975 me temën: ”REAKSIONI NUKLEAR 19F(t, p) 21F NË ENERGJITË E ULËTA”(sr). Mr. Fehmi Gashi doktoroi në FSHMN të Prishtinës në qershor të vitit 1977 me temën: ”MEKANIZMI I REAKSIONIT NË ENERGJI TË TRICIUMIT AFRO 1 MeV”(sr). Dr. Fehmi Gashi e filloi punën si mësimdhënës i BAT-it në Gjimnaz të Prishtinës, mandej si prof. i Fizikës po aty e më 1973 u zgjodh asistent i Fizikës II dhe arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në FSHMN-Dega e Fizikës në Prishtinë. Ka të botuara 7 tekste të Fizikës për shkolla të mesme dhe tekste universitare si autor-koautor. Ka të botuara 15 punime shkencore. Ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore në Kosovë e jashtë saj. Vdiq në Prishtinë më 1998.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.