Faik Shkodra
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi në maj të vitit 1944 në Desivojcë të Dardanës. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Hogosht, kurse Ekonomiken e kreu në Gjilan. Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe - e kreu në Prishtinë më 1969. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në Prishtinë në maj të vitit 1978 me temën: ”LIRIKA POPULLORE SHQIPTARE E TREVËS SË KAMENICËS”. Mr. Faik Shkodra doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në korrik të vitit 1988 me temën: ”KRIJIMTARIA GOJORE SI KOMPONENTË E POEZISË SË SHKRUAR SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI”. Dr. Faik Shkodra në fillim punoi si mësues, arsimtar e profesor i Gjuhës Shqipe në shkollat e mesme të Gjilanit dhe në SHLP”Skenderbeu” të Gjilanit si prof. i lëndëve Letërsia për fëmijë me teori dhe Metodika e zhvillimit të të folurit. Dr. F. Shkodra ka qenë drejtor i përgjithshëm i shkollave të mesme të Gjilanit dhe dy mandate ka qenë drejtor i SHLP të Gjilanit. Ka të botuara 70 punime profesionale, 6 vepra si botime të veçanta dhe i ka të botuara disa vëllime poezish për fëmijë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.