← Shfleto

Ernest Koliqi

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi më 1903 në Shkodër. Shkollën fillore e kreu në Kolegjin Severjan të Jezuitëve në Shkodër, ndërsa të mesmen në Bergamo të Italisë së Veriut. Studimet i kreu në Universitetin e Padovës, kurse doktoroi në Universitetin e Romës në Selinë e Albanologjisë në qershor të vitit 1937 me temën: ” EPIKA POPULLORE SHQIPTARE”(it). Dr. Ernest Koliqi së pari punoi si prof. i gjuhës shqipe në Institutin Tregtar të Vlorës, në Liceun e Shkodrës e më vonë u emërua Lektor i shqipes në Universitetin e Padovës, kurse më 1939 emërohet prof. ordinar në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, në Institutin e Studimeve Shqiptare në Universitetin “La Sapienza” ku ka qenë një nga Profesorët “Emerito” të këtij universiteti, ku punoi deri në pension. Më 1939-1941 u emërua ministër i Arsimit në Shqipëri, prej vitit 1957 e deri në vdekje, ishte drejtor i revistës “Shejzat” në Romë. Dr. E. Koliqi shkroi shumë vjersha, tregime, novela, romane, studime letrare dhe tekste shkollore. Ka bashkëpunuar në fillim me L. Poradecin, Migjenin, M. Kutelin. E. Koliqi njihet një ndër stilistët e spikatur në gjithë prozën shqiptare. Ka përkthyer prej italishtes në shqip dhe anasjelltas. Për veprimtarinë shkencore të E.K. Presidenti Sali Berisha me 14.01.1997 i u është dhënë medalja e artë “urdhri i N. Frashërit” (pas vdekjes). Ka të botuara 23 vepra. Vdiq në Romë më 1975.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.