Enver Hysa
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi në prill të vitit 1941 në Peladhi të Peshkopisë (sot rrethi i Bulqizës). Mësimet e para i mori në Godvisë dhe i vazhdoi në shkollën e Zerqanit. Shkollën e mesme e kreu në Peshkopi. Fakultetin e Filologjisë-Dega e Gjuhës Shqipe e kreu në Universitetin e Tiranës më 1962. Në bazë të punimeve shkencore e mbrojti tezën e doktoratës nga filologjia më 1980 me temën: ” FORMIMI I EMRAVE NË GJUHËN SHQIPE”. Dr. Enver Hysa së pari u zgjodh pedagog i lëndës “Morfologjia e Gjuhës së sotme Shqipe” në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Tiranës, mandej zv. drejtor i Institutit të Gjuhës dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Tiranës, Prof. i Gjuhës Shqipe në Institutin kombëtar të Gjuhëve dhe të Qytetrimeve Orientale të Parisit, sekretar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të Atlas Linguarum Evropae (ALE) (1993) dhe së fundit anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Tiranës. Dr. E. Hysa ka marrë pjesë në shumë konferenca e simpoziume shkencore në vend e jashtë me kumtesa të lëmit të gjuhësisë. Ka qenë edhe bashkautor në shumë libra të gjuhës shqipe për shkolla fillore dhe për të mesmet.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.