← Shfleto

Enver Gjinolli

Doktor i kineziologjisë

Lindi në mars të vitit 1938 në Gjilan. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në vendlindje. Fakultetin e Kulturës Fizike e kreu në Beograd më 1964. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Kulturës Fizike të Zagrebit, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1983 me temën: ”AFTËSITË PSIKOMETRIKE TË NXËNËSVE TË KLASËS V FILLORE TË GJILANIT DHE SHKUPIT”(kr). Mr. Enver Gjinolli doktoroi në Fakultetin e Kulturës Fizike të Prishtinës në nëntor të vitit 1997 me temën: ”KARAKTERISTIKAT ANTROPOMETRIKE DHE MOTORIKE TË VLEFSHME PËR VOLEJBOLL TE NXËNËSIT E KLASES SË PESTË FILLORE”. Dr. Enver Gjinolli së pari filloi punën si prof. i edukatës fizike në Normale të Gjilanit, mandej në Normalen e Shkupit e prej aty në SHLP të Shkupit si prof. i metodikës së kulturës fizike. Në vitin 1981 kaloi në Fakultetin e Kulturës Fizike të Prishtinës si prof. i volejbollit. Ka të botuara 13 punime shkencore, 2 tekste për shkolla të mesme dhe 5 botime të tjera.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.