Emil Cimbi
Doktor i shkencave të mjekësisë
Lindi në janar të vitit 1928 në Poliçan të Gjirokastrës. Mësimet e para i mori në vendlindje (në gjuhën greke). Shkollën e mesme e filloi në Liceun e Korçës e vazhdoi në Tiranë dhe e përfundoi në Shkodër. Më 1948 iu akordua bursa për studime në Fakultetin e Mjekësisë të Bukureshtit (Rumuni). Pas kryerjes së Fakultetit shërbeu si mjek (pediatër) në Spitalin e Përgjithshëm të Tiranës. Prej këtu u transferua në qytetin Maliq, rrethi i Korçës, mandej u transferua në Ambulantën e Minierës së qymyrgurit në Krrabë, ku shërbeu 5 vjet. Më 1959 transferohet në Spitalin e Fëmijëve të Tiranës. Më 1984 mori gradën shkencore “Doktor i shkencave” mandej titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” dhe titullin “Profesor”. Dr. Emil Cimbi ka disa botime shkencore dhe monografi, libra dhe broshura. Merret me poezi, prozë, drama dhe me përkthime. Prej vitit 1992-1994 ishte atashe kulturor në Ambasadën Shqiptare të Rumanisë. Dr. E. Cimbi u dekorua me “Medaljen e punës” dhe me urdhërin “Për shërbim më të mirë popullit”. Aktualisht është sekretar i shoqatës “Mjekësia, Letërsia, Arti”.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.