← Shfleto

Elena Lucrezia Cornaro Piscopia Peshkopia / Piskopia

Doktor i shkenca filozofike

U lind më 5 qershor 1646 në Venedik. Prindërit e saj kishin prejardhjen nga Peshkopia. Familja Cornaro i dha Kishës Katolike 3 papë, 8 kardinalë dhe mbretëreshën e Qipros. Famulltari i atij rajoni të Venedikut e shpalli Elenën fëmijë të jashtëzakonshëm, një mrekulli, kur ishte në moshën shtatëvjeçare. Elena u shkollua në shkollën shqiptare të Venedikut, e themeluar nga shqiptarët më 22 tetor 1442, e cila vazhdoi deri në fund të shekullit XVIII. Në moshë të re filloi studimet e gjuhës latine, greke, muzikës, teologjisë dhe matematikës. Më vonë mësoi hebraishten, arabishten, aramaikishten, anglishten, frëngjishten dhe spanjishten. Në moshën 17-vjeçare ajo këndonte, kompozonte dhe luante me kitarë dhe instrumente të tjera. Elena Peshkopia i ndoqi studimet në Universitetin e Padovës që nga viti 1672. Siç dihet nga studimet, i kishte shkruar të atit se po kalonte mirë, por dihet se Elena ka qenë shëndetligë. Pas kryerjes së studimeve të teologjisë dhe filozofisë, paraqiti kërkesën për gradën e doktorit të shkencave të teologjisë në Universitetin e Padovës. Në kërkesën e saj me shkrim, Kardinali Gregorio Barbarigo, peshkop i Padovës dhe dekan i Fakultetit të Teologjisë në Universitetin e Padovës, u përgjigj me habi: “Çka, grua doktor dhe mësimdhënëse e teologjisë? Kurrë. Gruaja është krijuar për nënë e jo për dijetare.” Mirëpo, megjithatë, Elenës iu lejua ta mbronte doktoratën, por nga lënda e filozofisë. Elena është femra e parë në botë që mori titullin doktor shkence në filozofi në Universitetin e Padovës më 25 qershor 1686. Temën e doktoratës e mbrojti me sukses të lartë para profesorëve të filozofisë e logjikës, mjekësisë dhe teologjisë. Në mbrojtjen e doktoratës mori pjesë edhe bujari padovas me origjinë shqiptare Albanius Albanensis, profesor i filozofisë dhe logjikës në Universitetin e Padovës. Në universitetet e Italisë në shekujt XVI dhe XVII, bashkë me filozofinë mësoheshin edhe anatomia, fiziologjia dhe embriologjia, lëndë themelore të mjekësisë, kështu që filozofët konsideroheshin edhe mjekë, sepse në atë kohë mjekësi të mirëfilltë nuk kishte. Pra, filozofët e kohës ishin edhe mjekë. Elena, pas doktorimit, u zgjodh ligjëruese në universitetin ku do të punonte deri në vdekjen e hershme. Ajo vdiq më 25 korrik 1684, në moshën tridhjetë e tetë vjeçare. Në Universitetin e Padovës, arsimtarët e admironin talentin, urtësinë, vyeshmërinë dhe dijen e saj. Në një tubim memorial, profesori i njohur Karlo Rinardi, profesor në Universitetin e Pizës e më vonë në Universitetin e Padovës, shkruante ndër të tjera: “Elena është e bukur si engjëll, flet pastër latinisht, greqisht, frëngjisht, anglisht dhe spanjisht.” Pas vdekjes, ajo u nderua me titullin Gruaja e Mësimit. Në Universitetin e Padovës gjendet statuja e mrekullueshme e Elena Lucrezia Cornaro Piscopia në një pjesë të Pallatit Bo, ndërsa në kolegjin Vassar në New York gjendet dritarja e qelqtë me përshkrimin e të arriturave të saj.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.