← Shfleto

Elena Gjika

Doktor i letërsisë së vjetër greke

Lindi më 1829 në Bukuresht, Rumani. Ajo ishte bija e Mihal dhe Katerina Gjikës. Elena Gjika ishte princeshë rumune me origjinë shqiptare prej Gjikajve, familje e njohur edhe jashtë vendit. Shkollimin e mbaroi në vendlindje, në Rumani, por për të zgjeruar diturinë qëndroi në disa shtete të Evropës, si Francë, Gjermani, Zvicër, Itali dhe Belgjikë. Ajo dinte disa gjuhë të vjetra, si greqishten e vjetër dhe latinishten, si dhe mësoi disa gjuhë të reja të Evropës, si gjermanishten, frëngjishten, italishten, anglishten, greqishten, rumanishten dhe shqipen. Që në moshën 14-vjeçare filloi ta përkthente “Iliadën” e Homerit nga origjinali në gjermanisht. Elena shkroi artikuj, studime, monografi, libra, broshura teatrale, tregime e të tjera. Ajo ishte udhëpërshkruesja e parë shqiptare, autorja e parë e udhëpërshkrimeve ndër ne. Në vitin 1849, Elena u martua me princin rus Aleksandër Kolcov Mosallski, me të cilin jetoi në Petrograd për 7 vjet. Më pas u nda dhe shkoi në Bruksel, prej aty në Zvicër. Elena Gjika mërgoi në Francë dhe u mor me shkrime, ku shkroi një vepër shumë të çmuar në dy vëllime, “Gratë në Lindje”, si dhe “Mendimet dhe studimet e një gruaje për gratë”. Shumicën e shkrimeve Elena i ka shkruar në frëngjisht dhe italisht. Duke mos harruar prejardhjen e saj, pasi familja Gjika është një familje shqiptare, ajo shkroi dhe botoi shumë artikuj për virtytet e popullit shqiptar. U popullarizua me shkrimin e 7 artikujve të botuar në Paris rreth kombësive rumune, shqiptare, serbe, bullgare dhe helene. U çmua shumë për veprën “Shqiptarët në Rumani” më 1873, si dhe për punimin “Shkrimtarët arbëreshë të Italisë Jugore”. Ajo shkëmbeu letra me De Radën, me më shumë se 109 letra të shkruara me dorën e saj për më shumë se 30 vjet. Elena Gjika pa dyshim është intelektualja më e madhe shqiptare. Për të kanë thënë se ishte grua-enciklopedi e gjallë, e kanë emëruar “diamant psikologjie të shkallës së parë”, e kanë çmuar lart për karakterin dhe e kanë quajtur “unazë e qytetërimit midis Lindjes dhe Perëndimit”. Ajo u mbajt si një nga gratë më të shquara të botës, ndoshta e vetmja grua që i ka gjykuar me drejtësi simotrat e veta, dhe u mbiquajt “ylli më i ndrituri pas qiellit të së varfrës Shqipëri”. Elena Gjika dha kontribut të çmuar në lëmitë e shkencës, filozofisë, filologjisë, ekonomisë politike, historisë, folklorit dhe shkencave të tjera, prandaj edhe u quajt “gruaja enciklopedi e gjallë”. Francezët e pandehnin franceze, sepse shkroi frëngjisht. Gjermanët thoshin se ishte e tyre, sepse kishte edukatë gjermane. Rumunët thoshin se Dora d’Istria ishte e tyre, sepse u lind në Rumani. Rusët thoshin se Elena ishte ruse, sepse u martua me princin rus. Grekët thoshin se ishte e tyre, sepse foli e shkroi për ta dhe kishte kulturë të lashtë greke. Italianët thoshin se kaloi shumë vite nën qiellin e tyre dhe vdiq në Firence më 20 nëntor 1888. Elena Gjika, e njohur edhe si Dora d’Istria, ishte bija e Mihal dhe Katerina Gjikës, me prejardhje nga Shqipëria. Edhe sa ishte gjallë mori mirënjohje të shumta. Ishte kryetare nderi në shumë vende, kryetare nderi në Akademinë e Romës, anëtare e Akademisë së Napolit, korrespondente e Akademisë së Barcelonës dhe Buenos Airesit. Elena Gjika kontribuoi në shkencë, art dhe në përgjithësi, dhe me plot të drejtë radhitet ndër punëtorët shkencorë të shkencave humanitare dhe filologjike.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.