Eduard Sulstarova
Doktor i shkencave të gjeologjisë
Lindi në nëntor të vitit 1934 në Korçë. Mësimet e para dhe të mesmet i kreu në vendlindje. Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave e kreu në Tiranë më 1963, dhe po në këtë fakultet e mbrojti pjesën e parë të doktoratës më 1974 me temën: ” SIZMICITETI I SHQIPËRISË” , kurse pjesën e dytë të doktoratës e ka mbrojtur më 1986 me temën:” MEKANIZIMI I VATRAVE TË TERMETEVE NË SHQIPËRI”. Dr. Eduard Sulstarova punoi si asistent i Gjeofizikës në Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave të Tiranës, specializimin e bëri në Institutin Gjeofizik në Kinë, mandej punonjës shkencor në Stacionin Sizmologjik në Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave në Tiranë dhe drejtor i Qendrës Sizmologjike në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Më 1999 pranohet anëtar i rregullt i Akademisë. Ka qenë pedagog i jashtëm i Fakultetit të Gjeologjisë e të Minierave, është bashkautor i një teksti universitar në 3 vëllime. Ka mbajtur ligjërata në Universitetet e Tokjos, e të Selanikut. Ka qenë anëtar i Komisionit Sizmologjik Evropjan-përfaqsues i Qeverisë Shqiptare. Dr. E.Sulstarova është personalitet i shquar i gjeodezisë shqiptare. Ka 10 libra për sizmologjinë, 4 të botuara në anglisht, ka 21 artikull të botuar në vend dhe 80 të botuar jashtë. Ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për sizmologji.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.