Edmond Hajrizi
Doktor i shkencave teknike – makinerisë
Lindi në gusht të vitit 1971 në Gumnasellë të Lipjanit. Shkollën fillore e kreu në Banullë e Gllogoc të Lipjanit, kurse shkollën e mesme (Teknike) në Ferizaj. Fakultetin e Makinerisë e kreu në afat rekord në Prishtinë më 1993 me notë mesatare 9.70. Për rezultate të shkëlqyera në studime u shpërblye me diplomën “Student i dalluar” në Universitetin e Prishtinës si dhe në Fakultetin e Makinerisë si studenti më i mirë i të gjitha brezave. Edhe në shkollën e mesme ishte shpërblyer nga Ministria e Arsimit e Kosovës më 1985. Studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Makinerisë në Prishtinë ku magjistroi në dhjetor të vitit 1998 me temën: ”SINTEZA E AUTOMATEVE DIGJITALE SEKUENCIALE ASINKRONE DHE ZGJIDHJA E TEKNOLOGJISË DIRIGJUESE ME KOMPJUTER”. Mr. Edmond Hajrizi doktoroi në Universitetin Teknologjik të Vjenës me temën: ” OPTIMIERUNG DER FIS (FLEKSIBIL INTELLIGENTEN SYSTEM) ABLAUFE DURCH GENETICHE ALGORITMEN”(gj). Pas kryerjes së Makinerisë Edmondi e regjistroi gjuhën gjermane në Fakultetin Filologjik të Prishtinës e mandej i vazhdoi në Universitetin e Vjenës. Dr. Edmond Hajrizi është bashkëpunëtor i Institutit Teknik të Universitetit të Vjenës, anëtar i Komitetit Organizativ të Simpoziumit Ndërkombëtar dhe anëtar i Shoqatës së Inxhinierëve dhe Arkitektëve të Austrisë (ÖIAV, WIEN). Dr. E. Hajrizi ka 3 punime shkencore të botuara jashtë Kosovës dhe një doracak në bashkautorësi dhe është asistent në Fakultetin e Makinerisë në Prishtinë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.