← Shfleto

Demë Hoti

Doktor i shkencave të pedagogjisë

Lindi më 1952 në Junik. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Normalen) në Gjakovë. Fakultetin Filozofik-Dega e Pedagogjisë e kreu në Prishtinë më 1979. Po në këtë fakultet i bëri studimet pasuniversitare edhe magjistroi në qershor të vitit 1995 me temën: ”AKTIVITETET ARSIMORE-KULTURORE TË PUNONJËSVE TË INDUSTRISË SË TEKSTILIT NË KOSOVË”. Mr. Demë Hoti doktoroi në Fakultetin Filozofik-Departamenti i Pedagogjisë - në Prishtinë në shtator të vitit 2003 me temën: ”SHFRYTËZIMI I KOHËS SË LIRË I PUNONJËSVE TË ARSIMIT FILLOR NË KOSOVË (ME VËSHTRIM TË VEÇANTË NË DIMENSIONIN ANDRAGOGJIK)”. Dr. Demë Hoti së pari punoi si mësues në Junik, si arsimtar e pedagog në Prishtinë, mandej u zgjodh asistent e ligjërues i lëndës Andragogjia në Degën e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Ka të botuara 20 punime profesionale.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.