Burhan Jukniu
Doktor i shkencave teknike – makinerisë
Lindi më 1928 në Shkodër. Mësimet e para dhe të mesmet i mori në vendlindje. Studimet i kreu në Institutin e Energjetikës në Moskë më 1953. Ka doktoruar në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Inxhinjerisë në dhjetor të vitit 1962 me temën: ”PROFILET RACIONALE TË IMPIANTEVE (CENTRALEVE) TË KOMBINUARA, PJESA E GAZIT E TË CILËVE DESTINOHET PËR TË MBULUAR NGARKESAT SEZONALE NË SISTEM”. Dr. Burhan Jukniu pas diplomimit punoi si inxhinjer në Kombinatin Energjetik të Tiranës, si pedagog në Katedrën e Termoenergjetikës të Fakultetit të Inxhinjerisë për lëndën Termocentralet dhe Energjetika, ishte edhe zëvendësdekani në këtë fakultet dhe anëtar i Këshillit Shkencor i këtij fakulteti. I ka 7 tekste universitare dhe 5 punime shkencore të botuara i udhëhoqi 5 disertacione. Dr. B. Jukniu i ligjëroi lëndët Gjeneratorët me avull dhe Pajisjet energjetike me Kondenzim në Fakultetin e Makinerisë në Universitetin e Prishtinës.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.