← Shfleto

Besim Bokshi

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi më 1930 në Gjakovë. Shkollën fillore e nisi në Dukat të Vlorës kurse e kreu në Tiranë. Gjimnazin e nisi në Tiranë dhe e kreu në Prishtinë. Fakultetin Filozofik – Dega e Albanologjisë e kreu në Beograd më 1959. Studimet pasuniversitare i bëri në Beograd kurse doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në korrik të vitit 1977 me temën: ”RRUGA E FORMIMIT TË FLEKSIONIT TË SOTËM NOMINAL TË SHQIPES”. Dr. Besim Bokshi në fillim punoi si prof. i gjuhës Shqipe në gjimnaz të Gjakovës ku ishte edhe drejtor. Në SHLP ku ka qenë prof. i lëndës Morfologjia e Gjuhës Shqipe në Gjakovë. Ka punuar edhe në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Më 1974 u zgjodh ligjërues i lëndës Morfologjia historike në Degën e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës ku arriti gradën prof. ordinar i kësaj lënde. Ka ligjëruar edhe në Shkallën e tretë të studimeve në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës, ka ligjëruar edhe në Universitetin e Jenës dhe të Tiranës. Dr. Besim Bokshi është anëtar i rregullt i ASHA –s të Kosovës. Akademik B. Bokshi ka të botuara 5 vepra dhe 15 studime e artikuj.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.