← Shfleto

Besim Bardhoshi

Doktor i shkencave të ekonomisë

Lindi në dhjetor të vitit 1924 në Tiranë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Tiranë. Studimet e larta i përfundoi në Fakultetin e Ekonomisë e të Industrisë në Institutin e Planit në Shën Peterburg (Leningrad) më 1952. Kandidat i shkencave ekonomike ishte që nga viti 1965. Doktoroi në vitin 1983. Dr. Besim Bardhoshi së pari punoi si llogaritar në Drejtorinë e Përgjithshme të Bankës së Shtetit të Tiranës. Pas kryerjes së shkollimit të lartë punoi si kryetar i Degës së Planifikimit të Përgjithshëm në Komisionin e Planit të Shtetit. Në vitin 1953 u zgjodh pedagog dhe përgjegjës i Katedrës së Planifikimit në Institutin e Ekonomisë dhe në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, si ligjërues i lëndës “Planifikimi i ekonomisë popullore” në nivel universiteti dhe pasuniversitar. Dr. B. Bardhoshi është autor-bashkautor i një sërë studimesh në formë të botimeve monografike, të teksteve mësimore për shkolla të larta, dhe autor-bashkautor i disa monografive. Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore në vend dhe jashtë vendit. U dekorua me urdhrin “N.Frashëri” të Kl. II-të.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.