← Shfleto

Behxhet Osmani

Doktor i shkencave të mjekësisë

Lindi më 1950 në Stantërg të Mitrovicës. Shkollën fillore e nisi në Bradash dhe e kreu në Podujevë, kurse të mesmen (Gjimnazin) e kreu në Mitrovicë. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Prishtinë më 1977. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Mjekësisë të Zagrebit, ku edhe magjistroi në maj të vitit 1989 me temën: ”SHPESHTËSIA E TUBERKULOZIT TE FËMIJËT E VAKSIONUAR DHE TË PAVAKSIONUAR ME BSG VAKSINË NË KSA TË KOSOVËS”(kr). Mr. Behxhet Osmani doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në prill të vitit 1990 me temën: PËRPUTHSHMËRIA E DIAGNOZËS RADIOLOGJIKE, BAKTERIOLOGJIKE, CITOLOGJIKE DHE (OSE) HISTOPATOLOGJIKE TE TË SËMURIT ME KARCINOM BRONHIAL”. Dr. Behxhet Osmani së pari punoi si mjek në Repartin e Sëmundjeve të Kraharorit në Spitalin e Prishtinës, mandej specializoi për sëmundjet e mushkërive në Fakultetin e Mjekësisë të Zagrebit. Më 1988 u zgjodh asistent i Pneumofiziologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës ku arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në këtë fakultet. Ka qenë edhe drejtor i Klinikës së Sëmundjeve të Kraharorit në Prishtinë. Ka të botuara disa punime shkencore, si autor-koautor dhe 1 tekst universitar.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.