Avdi Avdiu
Doktor i shkencave të mjekësisë
Lindi më 1934 në Gadime të Epërme të Lipjanit. Shkollën fillore e nisi në vendlindje, kurse e kreu në Ferizaj. Gjimnazin e kreu në Prishtinë. Fakultetin e Mjekësisë e filloi në Shkup, për protesta dënohet me burg dhe i mbanë në burgun e Idrizovës, pas daljes nga burgu i vazhdoi studimet dhe diplomoi në Mjekësi me 1964. Edhe pas kryerjes së Fakultetit të Mjekësisë nuk gjeti punë të rregullt dhe u detyrua të emigroi në Turqi. Pas një kohe u kthye nga Turqia dhe vazhdoi Studimet pasuniversitare ato i bëri në Fakultetin e Mjekësisë të Zagrebit, ku edhe magjistroi në prill të vitit 1978 me temën:”EPIDEMIOLOGJIA DHE PASÇYRA KLINIKE E TRICHOPHYTISË NË KOSOVË”( kr). Mr. Avdi Avdiu doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës në prill të vitit 1981 me temën:” KARAKTERISTIKAT EPIDEMIOLOGJIKE, KLINIKE DHE DIAGNOSTIKE E GONORESË DHE LUESIT NË KSA TË KOSOVËS SHIKUAR PËRMES MATERIALIT EKZISTUES NË KLINIKËN DERMATOVENEROLOGJIKE DHE INSTITUTIN E MIKROBIOLOGJISË NË FAKULTETIN E MJEKËSISË NË PRISHTINË”. Dr. Avdi Avdiu së pari punoi si mjek-dermatolog, mandej kreu specializimin në Fakultetin e Mjekësisë të Zagrebit. Ka qenë ligjërues i dermatologjisë ku arriti gradën prof. ordinar i kësaj lënde në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës. Dr. A. Avdiu ka të botuara 25 punime shkencore. Vdiq në Prishtinë më 1995.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.