← Shfleto

Arif Birinxhiku

Doktor i shkencave të mjekësisë

Lindi më 1951 në Qubrel të Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen (Gjimnazin) në Mitrovicë. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Prishtinë më 1975. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Mjekësisë-Dega e Psikologjisë sociale në Zagreb, ku edhe magjistroi në tetor të vitit 1985 me temën: ”NDIKIMI I FAKTORIT SOCIALO-PSIKIATRIK NË TENTIM TË KRYERJES SË SUICIDIT NË KOMUNËN E PRISHTINËS NË PERIUDHËN 1978-1982”(kr). Mr. Arif Birinxhiku doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës në shtator të vitit 1987 me temën: ”STUDIMI SOCIO-PSIKIATRIK I DENDËSISË DHE I SHKAQEVE TË VETËVRASJEVE NË KOSOVË PREJ 1980-1985”(sr). Dr. Arif Birinxhiku së pari punoi si mjek në Skenderaj. Specializimin e filloi në Qendrën Klinike të Mitrovicës dhe vazhdoi në Prishtinë e Zagreb kurse e kreu në Klinikën Neuropsikiatrike të Novi Sadit. Më 1983 zgjidhet asistent i Neurologjisë psikiatrike ku arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës. Dr. Arif Birinxhiku ka qenë anëtar i Shoqërisë së Suicidologëve me seli në Lubjanë, ka marrë pjesë në shumë tubime të Suicidologëve në vend dhe jashtë vendit si dhe ka 50 punime shkencore të botuara si autor-koautor, në vend dhe jashtë.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.