Anton Ashta
Doktor i shkencave të mjekësisë
Lindi më 1895 në Shkodër. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Romë më 1921. Një vit më vonë e kreu edhe specializimin në Dermasifilopati, më 1928 u specializua në Romë-Shkolla e Lartë e Malarjes me sukses të shkëlqyer. Doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë të Tiranës në prill të vitit 1959 me temën: ”PALUDIZMI NË SHQIPËRI”. Dr. Anton Ashta së pari punoi si mjek në Lezhë e Shkodër. Dr. A. Ashta 50 vjet luftoi kundër malarjes në Shqipëri. Më 1932 botoi një libër me titull”Malarja”, më 1945 u caktua shef i Seksionit Antimalarik pranë Ministrisë së Shëndetit në Tiranë. Më 1955 u bë kandidat i Institutit të Shëndetësisë në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.116 të 04.04.1955. Në Gazetën e 6 majit 1959 u botua një shkrim “ U mbrojt disertacioni i tretë i Mjekësisë”. Dr Anton Ashta ka qenë anëtar i O.M.S. (Organizata Botërore e Shëndetësisë) dhe u zgjodh anëtar i Komisionit të Ekspertëve të Malarjes (1957 – 1970). Më 1962 Dr. A. Ashta u nderua me “ Çmimin e Republikës të Klasit të Parë” dhe Hero i punës Socialiste, më vonë u shpall “Hero i Popullit”. Dr. A. Ashta vdiq më 1977.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.