← Shfleto

Andon Grozhdani

Doktor i shkencave teknike – minjerave

Lindi në qershor të vitit 1938 në Bilisht të Devollit. Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse Teknikumin e Naftës e kreu në Kuçovë. Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave e kreu në Tiranë më 1964. Magjistroi po në këtë fakultet në Tiranë në qershor të vitit 1981 me temën: “MINERALIZIMET TELETERMALE TË THYERJEVE TËRTHORE TË ALBANIDEVE”. Mr. Andon Grozhdani doktoroi në të njëjtin fakultet në Tiranë në qershor të vitit 1990 me temën:” OREOLAT E SHLIHAVE TË SHQIPËRISË”. Dr. A. Grozhdani së pari punoi si teknik-gjeolog në Ndërmarrjen Gjeologjike të Pogradecit. U angazhua si pedagog në Fakultetin e Gjeologjisë e të minierave të Tiranës, ku ka qenë dekan i këtij fakulteti dhe përgjegjës i departamentit të vendburimeve të mineraleve të dobishme. Ishte bashkautor i hartës metalogjenike të Shqipërisë e të shumë hartave tjera. Ka të botuara 16 punime shkencore si autor-bashkautor dhe i teksteve mësimore universitare. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të II më 1985. Prej vitit 1970 – 1980 ka ligjëruar në Fakultetin e Xehetarisë dhe të Metalurgjisë të Mitrovicës lëndët Gjeologjia me xehetari në Kosovë, kurse tash është prof. Ordinar i këtyre lëndëve në Universitetin e Tiranës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.