Ali Jakupi
Doktor i shkencave të ekonomisë
Lindi në qershor të vitit 1943 në Shallc të Vushtrrisë. Shkollën fillore e nisi në Vërnicë dhe e kreu në Vushtrri, kurse Normalen e kreu në Mitrovicë. Fakultetin Ekonomik e kreu në Prishtinë më 1968. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Ekonomik-Dega e Marketingut në Zagreb, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1973 me temën: ”ROLI I PROPAGANDËS EKONOMIKE SI FUNKSION MARKETINGU DHE VËSHTRIMI KRITIK PËR PËRDORIM NË KSA TË KOSOVËS”(kr). Mr. Ali Jakupi doktoroi në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës në dhjetor të vitit 1984 me temën:”FINALIZIMI-DIMENSION I STRATEGJISË SË ZHVILLIMIT TË EKONOMISË SË KOSOVËS”. Dr. Ali Jakupi ka punuar në Kombinatin “Trepça”, drejtor financiar dhe drejtor i përgjithshëm në Ndërmarrjen “Kosova” të Vushtrrisë, drejtor i përgjithshëm në Fabrikën “Polet” të Vushtrrisë, drejtor, zëvendësdrejtor dhe drejtor i përgjithshëm në NBG “Rilindja” të Prishtinës (11 vjet). Ka punuar si mësimdhënës në Shkollën Ekonomike në Vushtrri, mandej docent në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës për lëndët: Bazat e marketingut dhe Marketing ndërkombëtar ku arriti deri te prof. ordinar i këtyre lëndëve në këtë fakultet, ligjëron edhe në Universitetin e Tetovës. Ka të botuara 20 libra, për shkolla të mesme dhe universitare, ka 50 punime shkencore të botuara në shqip, serbisht dhe anglisht dhe 80 punime të tjera. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume shkencore në vend dhe jashtë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.