Ali Hamiti
Doktor i shkencave teknike – elektroteknikës
Lindi në qershor të vitit 1948 në Dumnicë të Besianës. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Podujevë, ku e kreu edhe të mesmen (Gjimnazin). Fakultetin Teknik-Dega e Elektroteknikës e kreu në Prishtinë më 1972. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Elektroteknikës në Zagreb kurse magjistrua në Fakultetin e Elektroteknikës në Prishtinë në shtator të vitit 1994 me temën: ”ANALIZA E METODAVE PËR ULJËN E MBITENSIONEVE TË KOMUTIMIT NË SISTEMET E TENSIONEVE TË LARTA”. Mr. Ali Hamiti doktoroi në Fakultetin e Elektroteknikës të Prishtinës në dhjetor të vitit 1998 me temën: ”SIMULIMI DIGJITAL DHE ANALIZA E MBITENSIONEVE TË KOMUTIMIT”. Dr. Ali Hamiti ka punuar në RTV të Prishtinës, në “Feronikel” të Gllogocit, kurse tash punon në Fakultetin Elektroteknik të Prishtinës si ligjërues e docent i lëndëve Elektranat dhe stabilimentet degëzuese dhe stabilimentet elektroenergjetike. Ka qenë prodekan e dekan i këtij fakulteti dhe ka të botuara disa punime shkencore.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.