← Shfleto

Ahmet Dërguti

Magjistër i artit muzikor – solokëndimi

Lindi më 1951 në Brainë të Besianës. Shkollën Fillore e kreu në vendlindje, të mesmen (të muzikës) në Prishtinë. Akademinë e Muzikës-Dega Teorike-Pedagogjike e kreu në Sarajevë më 1974, dy vjet më vonë diplomoi në Solokëndim në klasën e doc. Milica Buljabashiq. Studimet pasuniversitare i mbaroi në Konservatorin “Çipriajan Porumbesku” në Bukuresht (Rumani), ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1982 në Solokëndim. Dy profesorët në Zë të Akademisë “Ç. Porumbesku” kanë deklaruar se:”Ahmet Dërguti është i talentuar për muzikë serioze dhe i zellshëm në punë, mu për atë nxjerr një lëvërdi të madhe nga kjo punë e mundimshme. Jemi të kënaqur dhe krenarë që ky pedagog i ri dhe artist mund të bëjë shërbime praktike në lëmin e pedagogjisë vokale dhe në përgjithësi si solist i Operës, posaçërisht për vendin-atdheun e tij”. Mr. Ahmet Dërguti së pari punoi si mësimdhënës në Shkollën e Muzikës të Prishtinës. Ka marrë pjesë në festivalin Rinia Muzikore Evropiane, në Gjermani më 1980 si përfaqësues i ish Jugosllavisë, zuri vendin e parë në këtë Festival, mandej specializoi në Gjermani. Tash është prof. ordinar i Solokëndimit me metodikë në Fakultetin e Arteve-Dega e Muzikës në Prishtinë. Ka marrë pjesë si solist në shumë kryeqendra të vendit dhe në Evropë.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.