← Shfleto

Ahmet Ceni

Doktor i shkencave të ekonomisë

Lindi në nëntor të vitit 1950 në Shkodër. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje, kurse Fakultetin Ekonomik-Dega Ekonomi Industriale e kreu në Tiranë më 1977. Në vitin 1986 e përfundoi disertacionin në Departamentin e Industrisë të Fakultetit Ekonomik të Tiranës. Më 1992 i kreu studimet pasuniversitare në Universitetin e Grenoblit Francë, ku diplomoi DESR (diplomë e ciklit të tretë sipas sistemit francez, ekuivalente me master). Dr. Ahmet Ceni ishte pedagog i Informatikës në Universitetin e Shkodrës, mandej pedagog i Katedrës së Ekonomisë Industriale dhe në Departamentin e Menaxhimit të Fakultetit Ekonomik të Tiranës, dhe pedagog i masterit. E hartoi disertacionin e doktoraturës në Universitetin e Tiranës. Ka qenë shef i financave dhe i planit i njësitit bujqësor në Shkodër e gjetiu, zv. ministër i Transportit, zv. ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale. Ishte autor dhe bashkautor tekstesh mësimore për arsimin e lartë, ka botuar 6 monografi e 10 punime shkencore, ka marrë pjesë në disa projekte shkencore edhe në simpoziume shkencore në vend dhe jashtë.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.