← Shfleto

Adem Zejnullahu

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi më 1945 në Banjskë (Banjë) të Vushtrrisë. Shkollën fillore e kreu në Smrekonicë, kurse të mesmen (Normalen) në Mitrovicë. Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë më 1972. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në Prishtinë në maj të vitit 1979 me temën: ”TREGIMI SHQIPTAR NË JUGOSLLAVI”. Mr. Adem Zejnullahu doktoroi në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës në qershor të vitit 1986 me temën: ”KRIJIMTARIA GOJORE DHE PROZA E SHKRUAR SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI”. Dr. Adem Zejnullahu në fillim punoi si profesor i gjuhës shqipe në Shkollën e Mjekësisë të Mitrovicës, mandej në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës, kurse prej vitit 1982 punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës - në Degën e Folklorit në fillim si hulumtues i pavarur e tani si Këshilltar shkencor në Degën e Folklorit ku është edhe shef i kësaj dege. Ka qenë anëtar i Folkloristëve të Kosovës dhe ka marrë pjesë në tubime-simpoziume shkencore në Kosovë dhe jashtë si në Shqipëri e Jugosllavi. Ka të botuara 80 studime e artikuj, 6 botime të veçanta dhe si koautor në 8 libra.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.