← Shfleto

Abdulla Zeqo

Doktor i shkencave të gjeologjisë

Lindi në dhjetor të vitit 1934 në Tiranë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje. Studimet e larta i bëri në Institutin Politeknik në Gdansk (Poloni) ku është diplomuar magjistër më 1958. U doktorua në Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave të Tiranës në vitin 1979 me temën: ”KUSHTET GJEOLOGJIKE-INXHINIERIKE TË LUGINËS SË LUMIT DRIN DHE VLERËSIMI I TYRE NË PROJEKTIMIN E HIDROCENTRALIT TË SKAVICËS MBI LUMIN DRIN I ZI”. Dr. Abdulla Zeqo së pari punoi si inxh. në Drejtorinë Gjeologji-Gjeodezi në Ministrinë e Ndërtimit të Tiranës, shef i Seksionit të Gjeologjisë e të Çimentimit në Ndërmarrjen Hidroelektro të Hidrocentralit të Bistricës dhe Shopetit dhe kryegjeolog i ekspeditës së Hidrocentralit të Drinit dhe të Vau-Dejës dhe punonjës shkencor në Institutin e Teknologjisë së Ndërtimit. Më 1986 merr titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, më 1996 “Drejtues kërkimesh”. Është marrë me studime gjeologjike –inxhinierike për ndërtimin e Hidrocentraleve. Rezultatet e studimeve i ka paraqitur në punime shkencore dhe kumtesa të mbajtura në simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare. Ishte Pedagog në Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave të Tiranës dhe bashkautor i një teksti universitar. Është dekoruar me “Urdhër Pune” kl. I.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.