← Shfleto

Abdulla Gecaj

Doktor i shkencave të natyrës – biologjisë

Lindi më 1942 në Llaushë të Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Prishtinë. Fakultetin Filozofik-Dega e Biologjisë e kreu në Prishtinë më 1968. Studimet pasuniversitare i bëri në FSHMN-Dega e Biologjisë - në Zagreb ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1977 me temën: ”KONTRIBUT I NJOHJES SË ACTINOMICETEVE NË TOKAT E KOSOVËS”(kr). Mr. Abdulla Gecaj doktoroi në të njëjtin fakultet të Zagrebit në dhjetor të vitit 1985 me temën: ”NDIKIMI I UJRAVE TË HEDHURA NGA INDUSTRIA E OBILIQIT NË FLUKTUIMIN SEZONAL TË BAKTERIEVE DHE ALGEVE NË LUMIN SITNICA”(kr). Dr. Abdulla Gecaj së pari punoi si prof. i biologjisë në Normalen e Mitrovicës, në Gjimnaz të Skenderajt, më 1972 u zgjodh asistent i lëndës Sistematika e bimëve të ulëta në FSHMN të Prishtinës, dhe arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde. Ka qenë shef i Katedrës së Biologjisë në këtë fakultet. Ka të botuara 18 punime shkencore, 2 tekste për shkolla të mesme dhe 2 tekste universitare.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.